Duke filluar nga sot, për 3 ditë me radhë, Shqipëria mirëpret edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, një ngjarje që deri më 15 prill bashkon në kryeqytet personalitete nga politika, ekonomia, shkenca dhe arti, me synimin për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve kudo në botë.
Ceremonia hapëse e samitit me moton “Diaspora rikthehet në shtëpi” po zhvillohet këtë pasdite në Teatrin Kombëtar të Peras dhe Baletit.

I pari që mori fjalën, ishte Presidenti Bajram Begaj, i cili theksoi se shqiptaria nuk mbaron brenda kufijve të vendit tonë, por sipas tij, është një zemër që rreh kudo ku ka shqiptarë.
Begaj shtoi gjithashtu se sot kur flasim për Diasporën shqiptare, flasim për ndikim global, pasi sipas Presidentit, shqiptarët janë në majat e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale, në institucionet ndërkombëtare dhe në universitetet më të mira ndërkombëtare.

“Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës sesi mendojmë për shtetin dhe për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar. Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty, nga maja e IA, te institucionet ndërkombëtare, te auditorët e universiteteve më të mira, te arti e sporti”, tha mes të tjerash Begaj.
Në dy ditët në vijim do të zhvillohen gjithsej 17 panele diskutimi, 8 prej tyre më 14 prill dhe 9 më 15 prill, ku do të trajtohen çështje që lidhen me zhvillimin, bashkëpunimin dhe rolin e diasporës shqiptare në rajon dhe më gjerë.

