Barcelona po përgatit një lëvizje të madhe për merkaton e verës, duke vënë në shënjestër një nga talentet më premtues në Bundesliga.
Sipas raportimeve, katalanasit ëndërrojnë transferimin e Yan Diomande nga RB Leipzig, duke e konsideruar 19-vjeçarin si përforcimin ideal për krahun e majtë të sulmit.
Ky pozicion mund të mbetet vakant nëse largohet Marcus Rashford, i cili aktualisht është në huazim nga Manchester United, por qëndrimi i tij afatgjatë duket i pamundur për shkak të pagës së lartë dhe mosaktivizimit të opsionit të blerjes.
Megjithatë, ky operacion pritet të jetë jashtëzakonisht i vështirë për Barcelonën. Diomande ka kontratë deri në vitin 2030 dhe kërkesat e Leipzig thuhet se kalojnë shifrën e 100 milionë eurove, një shumë që vështirë se përballohet nga klubi katalanas.
Për më tepër, gara për talentin nga Bregu i Fildishtë është e ashpër, pasi edhe Bayern Munich, Liverpool dhe Manchester United kanë shfaqur interes konkret.
Leipzig ndërkohë synon ta blindojë lojtarin me një kontratë të re dhe rritje page, duke e bërë edhe më të vështirë largimin e tij. Kujtojmë se ai u transferua nga Leganés për rreth 20 milionë euro dhe këtë sezon ka shpërthyer me 10 gola dhe 7 asistime në 26 ndeshje, duke u kthyer në një nga yjet më të mëdhenj në rritje në Evropë.
Për momentin, kjo mbetet një “ëndërr e madhe” për Barcelonën, por merkatoja ka treguar se surprizat janë gjithmonë të mundshme.

