Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Rafael Louzán, ka konfirmuar zyrtarisht se finalja e Kupës së Botës 2030 do të zhvillohet në Spanjë.
Deklarata u bë gjatë mbrëmjes gala të Shoqatës së Shtypit Sportiv të Madridit, ku Louzán ndau për herë të parë publikisht këtë informacion të rëndësishëm, ndonëse nuk specifikoi stadiumin që do të presë ndeshjen finale.
Deri më tani, kreu i futbollit spanjoll kishte shprehur vetëm besimin se Spanja do të ishte mikpritëse e finales, pa e konfirmuar zyrtarisht. Megjithatë, këtë herë Louzán e bëri të qartë se ndeshja vendimtare e Botërorit 2030 do të luhet në territorin spanjoll, pavarësisht pretendimeve të Marokut për ta organizuar finalen.
Kujtojmë se Kupa e Botës 2030 do të organizohet në mënyrë të përbashkët nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa disa ndeshje simbolike do të zhvillohen në Argjentinë, Paraguaj dhe Uruguaj, në kuadër të 100-vjetorit të edicionit të parë të kësaj gare madhore.
Botërori i vitit 2030 pritet të jetë një nga edicionet më historike të Kupës së Botës, duke bashkuar disa kontinente dhe duke shënuar një kapitull të ri në historinë e futbollit botëror.

