Milani po kalon një nga momentet më të vështira të viteve të fundit, teksa humbja 3:2 ndaj Atalantës në “San Siro” ka shtuar tensionin brenda klubit dhe revoltën e tifozëve.
Disfata ka bërë që kuqezinjtë të bien në vendin e katërt në Serie A, me Romën që ka pikë të barabarta dhe me vetëm dy xhiro të mbetura deri në fund të kampionatit. Gara për sigurimin e një vendi në Ligën e Kampionëve është komplikuar ndjeshëm.
Skuadra e Massimiliano Allegrit po përballet me krizë identiteti, ndërsa rezultatet në pjesën e dytë të sezonit kanë qenë zhgënjyese. Milani ka grumbulluar vetëm 25 pikë në gjysmën e dytë të edicionit, bilanci më i dobët i klubit në tetë vitet e fundit.
Edhe pse ndaj Atalantës tentoi rikthimin në minutat shtesë, performanca ofensivë u konsiderua e zbehtë. Lojtarë si Christian Pulisic, Santiago Gimenez dhe Rafael Leao nuk kanë arritur nivelin e pritur, duke shtuar kritikat ndaj ekipit.
Një tjetër problem mbetet shkëputja mes repartit të mbrojtjes dhe mesfushës, ndërsa sistemi taktik i Allegrit ka hasur vështirësi ndaj skuadrave më agresive.
Vetë trajneri italian mori përgjegjësinë për krizën e rezultateve.
“Kur mungojnë rezultatet, unë jam personi i parë përgjegjës sepse jam trajneri. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë, por të përqendrohemi te fitoret në ndeshjet e mbetura”, deklaroi Allegri.
Pakënaqësia është reflektuar edhe në tribuna. Pas kritikave të ashpra ndaj pronarëve dhe drejtuesve të klubit, shumë tifozë u larguan nga stadiumi para përfundimit të sfidës me Atalantën.
Drejtori sportiv Igli Tare pranoi se situata në klub është shqetësuese dhe e konsideroi të kuptueshme reagimin e tifozëve.
“Duke i parë ndeshjet e fundit, mund të thuhet se mungoi vëmendja e duhur. Të gjithë duhet ta marrim pjesën tonë të përgjegjësisë”, u shpreh Tare.
E ardhmja e Allegrit tashmë lidhet drejtpërdrejt me kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Dy sfidat e fundit ndaj Genoas dhe Cagliarit pritet të jenë vendimtare për sezonin e Milanit.

