Bashkëpronari i Manchester United, Jim Ratcliffe, ka vlerësuar punën e trajnerit aktual Michael Carrick, por ka refuzuar të konfirmojë nëse ai do të vazhdojë në mënyrë të përhershme në krye të skuadrës pas përfundimit të sezonit 2025/26.
Carrick mori drejtimin e “Djajve të Kuq” në janar, duke zëvendësuar Ruben Amorim. Që nga ajo kohë, ai ka arritur të përmirësojë ndjeshëm formën e ekipit, duke regjistruar gjashtë fitore në tetë ndeshje dhe vetëm një humbje, atë në transfertë ndaj Newcastle United më 4 mars.
Falë këtyre rezultateve, Manchester United aktualisht renditet në vendin e tretë në Premier League para javës së 30-të, një pozicion që do t’i siguronte kualifikimin në UEFA Champions League nëse sezoni do të përfundonte në këtë moment.
Megjithëse kontrata e Carrickut përfundon në fund të këtij sezoni, shumë tifozë, analistë dhe ish-lojtarë të klubit kanë sugjeruar se ish-mesfushori duhet të marrë drejtimin e skuadrës në mënyrë të përhershme.
Vendimi final pritet të merret nga drejtuesit sportivë të klubit, përfshirë Omar Berrada dhe Jason Wilcox, së bashku me Ratcliffe.
Duke folur të shtunën në Chinese Grand Prix për “Sky Sports”, Ratcliffe u pyet për të ardhmen e trajnerit.

“Ai po bën një punë të shkëlqyer, absolutisht,” deklaroi bashkëpronari i Unitedit, duke shmangur megjithatë çdo konfirmim për emërimin e tij të përhershëm. “Nuk do të hyj në atë temë,” shtoi ai.
Biseda më pas u zhvendos te objektivi i klubit për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve. “Sigurisht që po mendojmë për këtë, por ka ende shtatë ose tetë ndeshje për t’u luajtur, kështu që ka ende kohë,” u shpreh Ratcliffe.
Ndërkohë, ish-yjet e Unitedit, Wayne Rooney dhe Gary Neville, kanë diskutuar gjatë kësaj jave mundësinë që Carrick të bëhet trajner i përhershëm.
“Mendoj se nëse arrijnë Ligën e Kampionëve, Carrick duhet ta marrë punën. Ai do ta vendoste veten në pozicionin kryesor nëse klubi kërkon trajner të ri,” tha Rooney.

Nga ana tjetër, Neville sugjeroi që klubi duhet të mbajë opsionet e hapura. Ai theksoi se fakti që Thomas Tuchel ka rinovuar kontratën me Anglinë redukton disa alternativa për United dhe rrit shanset e Carrickut për ta marrë postin.
Sipas Neville, nëse Carrick arrin ta dërgojë ekipin në Ligën e Kampionëve, presioni për emërimin e tij do të rritet ndjeshëm, megjithatë klubi duhet të synojë trajnerin më të mirë të mundshëm për të minimizuar rrezikun.

