Real Madrid po analizon disa alternativa për stolin e skuadrës në prag të sezonit të ardhshëm, pasi e ardhmja e trajnerit aktual Álvaro Arbeloa mbetet e pasigurt. Sipas raportimeve nga Spanja, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë mundësi të ndryshme, duke menduar për një ndryshim të mundshëm gjatë verës.
Historikisht, klubi madrilen ka preferuar trajnerë që kanë pasur lidhje të mëparshme me “Los Blancos”, qoftë si lojtarë apo si pjesë e stafit teknik. Megjithatë, këtë herë duket se drejtuesit janë të hapur edhe për opsione jashtë këtij modeli.
Një nga emrat që vazhdon të përmendet në media është ai i Jürgen Klopp, megjithëse ka paqartësi nëse trajneri gjerman do të ishte i gatshëm të rikthehej në pankinë pas vendimit për t’u larguar nga futbolli aktiv për një periudhë.
Në listën e kandidatëve përmenden gjithashtu trajneri i Aston Villa, Unai Emery, si dhe tekniku i Milan, Massimiliano Allegri, dy emra me përvojë të madhe në futbollin evropian.
Megjithatë, sipas raportimeve të El Desmarque, një tjetër emër që ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve madrilenë është ish-mesfushori spanjoll Cesc Fàbregas. Edhe pse përvoja e tij si trajner është ende në fazat e hershme, në klub vlerësojnë aftësitë e tij të lidershipit, personalitetin dhe njohuritë taktike.

Drejtuesit e Real Madridit thuhet se e kanë ndjekur prej kohësh karrierën e Fàbregasit dhe madje kishin tentuar ta transferonin si lojtar në të kaluarën, përpara se ai të rikthehej te Barcelona.
I rritur pranë Barcelonës dhe produkt i akademisë së famshme La Masia, Fàbregas ishte pjesë e të njëjtës gjeneratë me Lionel Messi dhe Gerard Piqué, përpara se të transferohej në moshë të re te Arsenal.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Real Madridi do të vendosë t’i besojë një projekti të ri me një trajner relativisht të ri, apo do të zgjedhë një emër me më shumë eksperiencë për drejtimin e skuadrës.

