Amir Rrahmani është rikthyer në fushën e lojës pas dëmtimit, duke dhënë menjëherë kontribut të rëndësishëm për Napolin. Mbrojtësi shqiptar u aktivizua si titullar dhe ishte protagonist në fitoren dramatike 2-3 ndaj Genoas, e siguruar në sekondat e fundit të sfidës.
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës u dallua jo vetëm për sigurinë në prapavijë, por edhe për kontributin në fazën ofensive, duke regjistruar një asist vendimtar. Një rikthim mjaft pozitiv për Rrahmanin, në një ndeshje që kishte peshë të madhe për objektivat e Napolit në kampionat.
Paraqitja e tij është vlerësuar me notën 6 nga media italiane Tuttomercato.com. Në analizën për performancën e mbrojtësit kuqezi, theksohet rëndësia e pranisë së tij në mbrojtje: “Rikthimi i tij ishte si një ndihmë e ardhur nga qielli. Nuk është rastësi që ai është i vetmi nga treshja fillestare që nuk ka kryer asnjë gabim”.
Ky rikthim i suksesshëm pritet t’i japë më shumë siguri trajnerit dhe skuadrës së Napolit në vazhdimësinë e sezonit, ndërsa Rrahmani konfirmon edhe një herë rëndësinë e tij në boshtin defensiv të ekipit.

