E ardhmja e Pep Guardiolës në krye të Manchester Cityt po bëhet gjithnjë e më e paqartë, ndërsa klubi anglez ka filluar të mendojë seriozisht për skenarët e së ardhmes.
Sipas raportimeve të Football Insider, drejtuesit e “Citizens” kanë hapur tashmë bisedime me ish-trajnerin e Chelseat, Enzo Maresca, i cili shihet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e skuadrës pas përfundimit të sezonit.
Trajneri italian, pavarësisht se u shkarkua më herët gjatë këtij sezoni, vlerësohet lart për punën e tij të mëparshme. Në karrierën e tij, Maresca ka fituar trofe të rëndësishëm si FIFA Club World Cup dhe UEFA Europa Conference League, duke dëshmuar aftësi për të menaxhuar skuadra me objektiva të mëdha.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Maresca është i gatshëm të rikthehet sa më shpejt në pankinë dhe ideja për të drejtuar Manchester Cityn, një skuadër me yje botërorë dhe mbështetje të fortë financiare, përbën një projekt jashtëzakonisht tërheqës për të. Megjithatë, Maresca nuk është i vetmi emër në radarët e drejtuesve të Cityt.
Klubi po monitoron gjithashtu edhe trajnerë të njohur si Xabi Alonso dhe Luis Enrique, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë verës. Nga ana tjetër, Pep Guardiola mbetet i përqendruar te objektivat e këtij sezoni.
Trajneri spanjoll synon ta mbyllë aventurën e tij në “Etihad” me një tjetër trofe madhor, duke vazhduar garën për titullin kampion në Premier League dhe suksesin në kompeticionet e tjera.

