Ekspertët ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin për temperaturat ekstreme që mund të ndikojnë seriozisht në shëndetin e futbollistëve gjatë Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sipas një letre të hapur nga shkencëtarë të klimës, shëndetit dhe performancës sportive, masat aktuale të FIFA-s konsiderohen të pamjaftueshme për përballimin e kushteve të rënda atmosferike gjatë verës.
Studimet paralajmërojnë se në 14 nga 16 stadiumet e turneut temperaturat mund të arrijnë nivele të rrezikshme, sidomos në jug të SHBA-së dhe veri të Meksikës, ku termometri mund të afrohet me 40 gradë Celsius. Ekspertët theksojnë se kombinimi i nxehtësisë, lagështisë dhe rrezatimit të fortë diellor rrit ndjeshëm rrezikun e stresit termik tek lojtarët.
Aktualisht FIFA aplikon dy ndërprerje treminutëshe për freskim gjatë ndeshjeve dhe përdor sistemin WBGT për monitorimin e temperaturës. Megjithatë, shkencëtarët kërkojnë masa më të forta, përfshirë pezullimin ose shtyrjen e ndeshjeve kur niveli i WBGT kalon 28 gradë, si dhe ndërprerje më të gjata për lojtarët.
Sipas analizave të publikuara nga “World Weather Attribution”, rreth një e katërta e ndeshjeve të Botërorit 2026 mund të zhvillohen në kushte të konsideruara të rrezikshme për aktivitet sportiv intensiv.
Nga ana tjetër, FIFA ka deklaruar se po punon për një model të posaçëm monitorimi të temperaturave dhe përshtatje të orareve të ndeshjeve sipas kushteve klimatike në secilin qytet organizator.

