Kombëtarja shqiptare do të rikthehet në stadiumin “Air Albania” gjatë muajit qershor për dy ndeshje miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Kuqezinjtë fillimisht do të përballen me Izraelin më 3 qershor në orën 20:00, ndërsa më 6 qershor, po në orën 20:00, do të luajnë ndaj Luksemburgut.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se biletat për të dyja sfidat kanë dalë tashmë në shitje. Tifozët mund t’i sigurojnë ato online përmes platformës ebileta.al, por edhe fizikisht pranë stadiumit “Air Albania”.
FSHF ka publikuar edhe procedurat për blerjen online të biletave. Fillimisht tifozët duhet të regjistrohen në platformë me adresën e tyre elektronike, më pas të zgjedhin tribunën dhe ulësen e preferuar.
Pas përzgjedhjes së ulëseve, tifozët duhet të plotësojnë të dhënat personale dhe në fund të kryejnë pagesën me kartelë bankare. Pas konfirmimit të pagesës, bileta dërgohet automatikisht në adresën elektronike të përdorur gjatë regjistrimit.

