Talenti i ri, Erblin Osmani, ka hyrë në histori duke u shpallur kampion i Gjermanisë me Bayernin, ndonëse ka regjistruar vetëm një paraqitje në Bundesligë këtë sezon. Mesfushori 16-vjeçar u aktivizua në fitoren 4:0 ndaj Union Berlinit, duke debutuar në minutat e fundit të ndeshjes.
Bayerni siguroi titullin e 35-të kampion katër xhiro para përfundimit të sezonit 2025/2026, ndërsa për Osmanin kjo arritje përfaqëson një hap të madh në karrierën e tij. Ai është pjesë e klubit bavarez që nga viti 2017 dhe konsiderohet një nga talentet më premtuese të akademisë.
Edhe pse me ekipin e parë ka vetëm një paraqitje, Osmani ka qenë shumë aktiv me grupmoshat, ku me U17 ka regjistruar 16 ndeshje, 6 gola dhe 7 asistime këtë edicion. Ai ka marrë gjithashtu minuta edhe me ekipin U19, duke dëshmuar rritje të vazhdueshme.
Futbollisti i ri tashmë është pjesë e listës së lojtarëve kampionë të Bayernit, ndërsa klubi vazhdon të besojë në potencialin e tij. Me kontratë deri në vitin 2027, e ardhmja e Osmanit shihet e ndritur, me mundësi reale për më shumë minuta në elitën e futbollit gjerman.

