Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi duket se nuk heq dorë nga ideja e krijimit të “Shtetit Bektashi”, e cila është propozuar nga kryeministri Edi Rama para një viti.
Baba Mondi ka deklaruar se “çdo gjë që niset nuk mund të arkivohet”, pasi sipas tij Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve me seli në Tiranë nuk mundet të operojë si një OJF. Ai tha se bektashinjve i duhet një status i veçantë diplomatik në mënyrë që të përgjigjet për besimtarët e saj përballë çdo shteti.
“Ne kemi 30 vjet që kërkojmë një status diplomatik të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Nuk mund të jetë një qendër botërore OJF. Ne kërkojmë këtë status. Shteti Shqiptar ka menduar ta bëj shtet, a do ta bëjë mini-shtet, a do ta bëjë Urdhër, atë do ta vendosë shteti. Kur të vendosi shteti, ne do të hyjmë ndërkombtarisht që të na njohin dhe shtetet e tjera si Kryegjyshatë Botërore Bektashiane. Duke patur një shtet, do të përballemi dhe me shtete ku janë bektashinjtë dhe nuk i kanë të drejtat”, deklaroi Baba Mondi.
Ndërsa sa i përket kritikavve për krijimin e shtetit bektashi, Baba Mondi ka vendosur një paralelizëm me modelin e Vatikanit. “Ç’humbet Italia nga Vatikani?”, tha ai, duke vënë theksin që një model i tillë jo vetëm funksionon, po shton një proces harmonik midis shtetit dhe besimit.
Por ajo që ka marrë vëmendjen në këtë intervistë është deklarata se heroi kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu është bektashi.
“Ne shqiptarë jemi, ça do i bëjmë Shqipërisë? A kemi dhënë? A jemi masakruar për Shqipërinë? Skënderbeu, bektashi ka qenë, që i mblodhi. Kush e ka bërë përveç Skënderbeut? Asnjë. Ishte atje… ishte bektashi! Babain e Bektashinjve e ka djegur të gjallë sulltani, se i tha, ti ke të drejtë ta sjellësh Skënderbeun këtu prapë. Dhe ai ka vajtur të luftojë për kombin e vetë”, tha Baba Mondi.

