Mbrëmja e kësaj të mërkure sjell finalen e madhe të Conference League, ku Crystal Palace dhe Rayo Vallecano do të luftojnë për trofeun në “Red Bull Arena” të Leipzigut.
Për të dy klubet kjo është finalja e parë europiane në histori, ndërsa vetëm 90 minuta i ndajnë nga trofeu i parë kontinental. Atmosfera në Gjermani është elektrizuese, me mijëra tifozë anglezë dhe spanjollë që kanë pushtuar Leipzigun në prag të sfidës së madhe.
Rayo Vallecano vjen në këtë finale në formë fantastike. Skuadra spanjolle numëron nëntë ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha garat, me gjashtë fitore dhe tre barazime. Madrilenët siguruan finalen pas paraqitjeve mbresëlënëse ndaj Strasbourg dhe tani synojnë trofeun më të madh në historinë e klubit.
Në anën tjetër, Crystal Palace është një nga surprizat më të mëdha të sezonit europian. Klubi londinez ka zhvilluar një edicion fantastik në debutimin e tij në arenën ndërkombëtare, duke regjistruar tetë fitore në këtë rrugëtim drejt finales.
Finalja merr edhe më shumë emocion pasi kjo pritet të jetë ndeshja e fundit e Oliver Glasner në pankinën e Crystal Palace. Trajneri austriak synon ta mbyllë aventurën me trofe europian.
Edhe statistikat premtojnë spektakël. Crystal Palace është dalluar për futboll ofensiv dhe ndeshje me shumë gola, ndërsa Rayo Vallecano për organizim taktik dhe stabilitet në mbrojtje.
Pak orë para ndeshjes nuk munguan as tensionet në Leipzig. Në qendër të qytetit pati përleshje mes tifozëve të të dy skuadrave, ku u raportua për hedhje shishesh dhe karrigesh, ndërsa policia gjermane ndërhyri për të qetësuar situatën.
Gjithçka tashmë është gati për një natë historike në Conference League.

