Talenti shqiptar Flavio Sulejmani vazhdon të shkëlqejë në futbollin italian, duke u shndërruar në një nga emrat më të përfolur te Lazio. Sulmuesi i Kombëtares U-21 ishte sërish protagonist në ndeshjen Lazio U-20 – Sassuolo U-20, e cila u mbyll në barazim 1-1.
Sulejmani realizoi golin e barazimit për lacialët në minutën e 90-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe duke shpëtuar skuadrën e tij nga humbja në momentet e fundit të takimit.
Ky ishte goli i 8-të për 19-vjeçarin në 18 ndeshje të zhvilluara në Primavera 1, statistikë që shoqërohet edhe me 3 asistime, duke e bërë atë një nga lojtarët më përcaktues të Lazios në këtë kategori.
Me këtë ritëm dhe vazhdimësi, Sulejmani shihet si një kandidat serioz për të hedhur shumë shpejt hapin drejt Kombëtares së madhe, ndërsa vlera e kartonit të tij, sipas “Transfermarkt”, ka arritur në 600 mijë euro.
Mediat italiane përtej Adriatikut po e vlerësojnë gjithnjë e më shumë Flavio Sulejmanin, duke e cilësuar si një finalizues të ftohtë dhe tepër efikas, me potencial të madh për të ardhmen.
Një tjetër talent shqiptar që po lë gjurmë në futbollin europian.

