Kombëtarja e Shqipërisë është mposhtur në miqësoren ndaj Ukrainës, me rezultat minimal 1-0, në sfidën e zhvilluar në Valencia.
Pas ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Sylvinho, foli në konferencë për media, duke theksuar vështirësinë për t’u rikthyer emocionalisht pas humbjes së rëndë ndaj Polonisë.
“Të jem i sinqertë ka qenë shumë e vështirë për të reaguar pas humbjes ndaj Polonisë. Ka qenë mundësia jonë e vetme gjithë jetën, për ne si vend, si Federatë, për të shkuar në Botëror. Pritshmëritë kanë qenë të larta dhe kemi dhënë 100%. Është e vështirë për t’u pranuar,” u shpreh ai.
Sylvinho theksoi se gjendja mendore e ekipit ka ndikuar drejtpërdrejt në paraqitjen ndaj Ukrainës, duke shtuar se skuadra kishte shpenzuar shumë energji në ndeshjen paraprake.
“Ka qenë e vështirë për të punuar me ekipin këto ditë, sidomos në aspektin mental. Ne kemi harxhuar shumë energji dhe nuk ishim rikuperuar mendërisht,” shtoi ai.
Trajneri brazilian vlerësoi kundërshtarin, duke theksuar cilësinë e lojtarëve ukrainas dhe paraqitjen e tyre në këtë takim.
“Ukraina ka lojtarë shumë të mirë, që luajnë në klube të mëdha si Benfica, PSG apo Everton. Urime për ta, kanë bërë një ndeshje të mirë,” deklaroi Sylvinho.
Në fund, ai nënvizoi rëndësinë e arritjes së Shqipërisë në fazën “play-off”, duke e konsideruar si një hap të madh për futbollin shqiptar.
“Fakti që kemi pasur mundësinë të luajmë në play-off do të thotë shumë për ne. Është një arritje që duhet vlerësuar,” përfundoi ai.

