Tenisi botëror është përfshirë në një debat të ashpër financiar, pasi disa nga emrat më të mëdhenj të sportit kanë kërcënuar me bojkotim të Roland Garros për shkak të mënyrës së ndarjes së të ardhurave.

Sipas raportimeve, lojtarë si Jannik Sinner dhe Aryna Sabalenka kanë nënshkruar një letër drejtuar organizatorëve të turneve Grand Slam, duke kërkuar rritje të përqindjes së fitimeve që u takojnë tenistëve.
Pakënaqësia lidhet me sistemin “Revenue Share”, pasi yjet e tenisit pretendojnë se turnetë po gjenerojnë miliona euro nga televizionet dhe sponsorët, ndërsa pjesa që u ndahet lojtarëve mbetet shumë më e ulët krahasuar me sportet e tjera.
Vetëm Roland Garros pritet të gjenerojë rreth 400 milionë euro të ardhura në vitin 2026, por kuota e shpërblimeve për lojtarët mbetet nën 15 për qind.
Debati ka krijuar tension të madh në botën e tenisit dhe mediat ndërkombëtare tashmë po e përshkruajnë situatën si një “luftë civile”, me mundësinë që bojkotimi i turneve të mëdha të kthehet në realitet nëse nuk arrihet marrëveshje me organizatorët.

