Barcelona ka nisur të monitorojë nga afër mbrojtësin kosovar Rron Raçi, duke e konsideruar si një opsion potencial për të ardhmen e afërt në repartin defensiv.
Gjiganti katalanas po vepron me kujdes në merkato për shkak të situatës së vështirë financiare dhe po fokusohet te profile më të reja, më ekonomike, por që përshtaten me filozofinë e lojës së trajnerit Hansi Flick.
Sipas raportimit të Football Transfer News, Raçi është emri më i ri që i është shtuar listës së Barcelonës. Qendërmbrojtësi i Hajduk Splitit vlerësohet veçanërisht për faktin se luan me këmbën e majtë, një element shumë i kërkuar nga stafi teknik i katalanasve.
“Barcelona po e skauton Rron Raçin, qendërmbrojtësin e Hajduk Splitit. Klubi katalanas po kërkon aktivisht një mbrojtës që luan me këmbë të majtë për sezonin e ardhshëm, dhe një nga emrat është Raçi, i cili ka impresionuar me paraqitjet e tij në futbollin kroat,” thuhet në raportim.
Megjithatë, Raçi nuk është i vetmi emër në listën e Barcelonës, pasi katalanasit vazhdojnë të ndjekin edhe mbrojtës të afirmuar si Alessandro Bastoni, Nico Schlotterbeck dhe Micky van de Ven.
Paraqitjet e mira në Kroaci kanë bërë që Rron Raçi të rritet edhe në radarët ndërkombëtarë, ndërsa ai shihet gjithashtu si një opsion serioz për Kombëtaren e Kosovës, me përzgjedhësin Franco Foda që e konsideron për ndeshjet e ardhshme, përfshirë edhe synimet drejt play-off-it të Kupës së Botës 2026.

