FC Sharri ka njoftuar opinionin publik se hapësirat e zhveshtoreve në stadiumin “Suad Brava” janë vandalizuar nga disa persona të panjohur.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, klubi ka bërë të ditur se ky akt nuk përbën vetëm një sulm ndaj FC Sharrit, por edhe ndaj pasurisë publike dhe gjithë komunitetit sportiv.
Sipas njoftimit, menjëherë pas incidentit janë njoftuar organet e rendit, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer inspektimin e dëmeve, ndërsa rasti tashmë është duke u hetuar.
“Menjëherë pas ngjarjes, klubi ka njoftuar organet e rendit. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kryer inspektimin e plotë të dëmeve dhe rasti tashmë është në procedurë zyrtare. Presim që autorët të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë ligjore. FC Sharri i dënon fuqishëm këto veprime kriminale dhe nuk do të heshtë përballë shkatërrimit të pronës publike. Kushdo që dëmton stadiumin, dëmton drejtpërdrejt fëmijët, të rinjtë dhe të ardhmen e sportit në këtë vend”, thuhet në njoftimin e klubit.

FC Sharri ka apeluar që raste të tilla të mos përsëriten dhe ka kërkuar respektim të hapësirave sportive, të cilat shërbejnë për zhvillimin e sportit dhe të rinjve në komunitet.


