Chelsea ka zyrtarizuar emërimin e Xabi Alonsos si trajner të ri të ekipit, me spanjollin që do ta nisë detyrën më 1 korrik.
Klubi londinez bëri të ditur se Alonso ka nënshkruar kontratë katërvjeçare në “Stamford Bridge”, duke i besuar ish-trajnerit të Bayer Leverkusenit drejtimin e projektit të ri sportiv.
“Chelsea ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Xabi Alonsos si trajner i ekipit të meshkujve. Mirë se vjen në Londër, Xabi”, thuhej në komunikatën zyrtare të klubit.
Alonso rikthehet në Premier League pas aventurës së fundit te Real Madridi, ku pati një periudhë të vështirë dhe u largua në janar pas rezultateve jo të qëndrueshme.
Para eksperiencës në Madrid, tekniku spanjoll shkroi histori me Bayer Leverkusenin, duke e udhëhequr skuadrën drejt titullit të Bundesligës në sezonin 2023/24 pa asnjë humbje, si dhe duke fituar Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë.
Si futbollist, Alonso ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme me Liverpoolin, Real Madridin, Bayern Munichun dhe kombëtaren e Spanjës, ku fitoi gjithsej 17 trofe, përfshirë edhe Kupën e Botës në vitin 2010.

