Hendbollistja kosovare Yllka Shatri po zhvillon me shumë sukses një kapitull të rëndësishëm të karrierës së saj në Kroaci. Ajo është pjesë e ekipit kroat ZRK Brod, ku u transferua në korrik të vitit të kaluar dhe tashmë konsiderohet një nga lojtaret më të dalluara të këtij kolektivi.
Për paraqitjet dhe përvojën e saj në kampionatin kroat, Shatri ka folur për TV Mergata, duke theksuar nivelin e lartë të garës dhe rëndësinë e frymës pozitive brenda ekipit.
“Është një ligë mjaft e fortë dhe me cilësi të lartë. Konkurrenca është e madhe me të gjitha ekipet, ku çdo ndeshje kërkon përkushtim maksimal, por atmosfera me vajzat brenda ekipit është shumë pozitive dhe kalojmë shumë mirë së bashku, gjë që është shumë e rëndësishme,” u shpreh ajo.

Tutje, Shatri foli edhe për ambiciet personale dhe ato të ekipit deri në fund të sezonit.
“Synimi ynë është të ngjitemi sa më lart në tabelë. Në fillim kemi pasur disa ngecje në disa ndeshje, por po mundohemi t’i përmirësojmë. Kemi edhe prurje të reja në ekip, vajza shumë cilësore që na kanë përforcuar edhe më shumë. Besoj se me punë dhe sakrificë do të arrijmë rezultate edhe më të mira në vazhdim,” theksoi hendbollistja kosovare.
Yllka Shatri është reprezentuese e rregullt e Kombëtares së Kosovës në hendboll, ndërsa gjatë karrierës së saj ka luajtur edhe në Islandë. Në Kosovë, me ekipin e Istogut, ajo ka fituar të gjitha trofetë e mundshme.


