Një raport surprizues nga Spanja ka ndezur skenën e futbollit iberik, pasi presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, thuhet se po shqyrton mundësinë e transferimit të mesfushorit të Barcelonës, Pedri, në vitet e ardhshme.
Sipas gazetës spanjolle ElDesmarque, duke iu referuar gazetarit Siro López, Perez e sheh yllin e Barcelonës si një përforcim potencial për sezonin 2027/28, duke e konsideruar atë si pjesë të planeve afatgjata të “Los Blancos”. Burimi thekson se drejtuesit madrilenë po vlerësojnë një lëvizje “bombë”, e cila nëse realizohet, do të kishte jehonë të madhe në futbollin spanjoll dhe atë evropian.
Florentino Perez njihet për transferime të bujshme mes rivalëve historikë, teksa rasti më i famshëm mbetet ai i Luis Figos, i cili në vitin 2000 kaloi nga Barcelona te Real Madridi, në një nga episodet më të debatueshme në historinë e “El Clásico”.
Nga këndvështrimi i Real Madridit, afrimi i një lojtari kyç të Barcelonës do të shërbente jo vetëm si përforcim sportiv, por edhe si një goditje simbolike ndaj rivalit të përjetshëm. Megjithatë, një marrëveshje e tillë mbetet tepër e vështirë për t’u realizuar, pasi Pedri ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2030 dhe është i mbrojtur nga një klauzolë lirimi prej 1 miliard eurosh.
Në këto rrethana, çdo skenar që përfshin një transferim të Pedrit nga Barcelona te Real Madridi shihet më shumë si spekulim, pavarësisht admirimit të supozuar të Florentino Perezit për mesfushorin spanjoll.

