Situata në Big Brother VIP Albania po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Banori i edicionit të pestë, Miri, ka paralajmëruar zyrtarisht se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj njërit prej konkurrentëve, Keijsit, duke e akuzuar për shpifje dhe denigrim.
Gjatë një deklarate të drejtpërdrejtë, Miri i bëri thirrje avokatit dhe përfaqësuesit të tij jashtë shtëpisë që të ngrejnë një padi për shpifje, duke theksuar se çështja nuk duhet të mbetet vetëm brenda formatit televiziv.
“I bëj thirrje avokatit tim dhe personit përgjegjës jashtë që të ngrejë një padi për shpifje. Personi në fjalë është Keijsi. Për prishje imazhi, denigrim të figurës time dhe të familjes time. Kjo çështje nuk duhet të qëndrojë vetëm në ekran,” u shpreh Miri.
Ai shtoi se nuk mund të pranojë që, sipas tij, të bëhen akuza të pabaza dhe fyerje publike ndaj tij, duke e cilësuar situatën si të papranueshme.
“Nuk mund të lejoj që një personazh si Keijsi të merret me shpifje dhe gjëra të ndyra kundrejt meje,” theksoi ai.
Sipas Mirit, baza e padisë lidhet me deklarata të bëra gjatë prime-it të kaluar, ku pretendon se Keijsi ka shpifur ndaj tij, duke cenuar rëndë imazhin personal dhe familjar, si dhe për fjalorin e përdorur gjatë diskutimeve.
Ndërkohë, dinamika brenda shtëpisë së BBVA-së po intensifikohet nga dita në ditë, duke e bërë këtë edicion gjithnjë e më dramatik dhe të mbushur me tensione, teksa gara po shkon drejt fazave vendimtare.

