Partizani ka zyrtarizuar afrimin e Laorent Shabanit, i cili i bashkohet “Demave” si përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv, duke shtuar alternativat në krahun e majtë të sulmit.
Klubi i kuq ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me ish-sulmuesin e përfaqësueses Shqipëria U-21, i cili tashmë është zyrtarisht pjesë e Partizanit. 26-vjeçari ka nënshkruar një kontratë një vit e gjysmë me klubin kryeqytetas.
Shabani është prezantuar sot nga drejtori sportiv Agim Ibraimi, ndërsa vjen te Partizani si lojtar i lirë, pas përfundimit të bashkëpunimit me klubin suedez Norrköping.
Sulmuesi i krahut është formuar si futbollist në Suedi, ku ka spikatur me paraqitjet e tij, dhe tashmë pritet të jetë një alternativë e rëndësishme për trajnerin në fazën e mbetur të sezonit.

