Gjithçka është zyrtare: Rey Manaj është prezantuar si lojtar i ri i Sivassporit, duke kompletuar një rikthim të bujshëm në futbollin turk. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka vendosur të largohet nga Sharjah FC pas vetëm gjashtë muajsh qëndrimi në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’u rikthyer aty ku u shndërrua në një nga emrat më të dashur për tifozët.
28-vjeçari nga Lushnja ka nënshkruar një kontratë trevjeçare e gjysmë, e vlefshme deri në verën e vitit 2029. Transferimi është realizuar pa kosto për Sivassporin, pasi Manaj ka shkëputur me marrëveshje kontratën me Sharjah FC, duke hequr dorë nga milionat e ofruara në Lindjen e Mesme për t’u rikthyer në Evropë.
Rikthimi i Manajt është pritur me entuziazëm të madh nga tifozët dhe klubi, të cilët e konsiderojnë atë një figurë kyçe të viteve të fundit. Në 63 paraqitje me fanellën e Sivassporit, Manaj ka realizuar 34 gola dhe ka kontribuar me 8 asistime, statistika që e kanë shndërruar në një prej sulmuesve më efikasë në historinë e afërt të klubit.
Me këtë rikthim, Sivasspor synon të forcojë repartin ofensiv dhe të rrisë ambiciet në kampionat, ndërsa Manaj kërkon të vazhdojë aty ku e la, duke qenë një nga liderët kryesorë të skuadrës në sezonet në vijim.

