UEFA i është përgjigjur zyrtarisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe ministrit Hajrulla Çeku, duke konfirmuar pranimin e komunikimit të dërguar nga institucionet kosovare.
Në përgjigjen e saj, shtëpia evropiane e futbollit bën të ditur se një letër e përbashkët nga FIFA dhe UEFA i është adresuar Federatës përkatëse, Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila është bashkëngjitur për referencë dhe informim të mëtejmë.
Po ashtu, UEFA ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar diskutimet, në varësi të zhvillimeve të ardhshme, duke theksuar se një dialog i mëtejmë mund të zhvillohet pas mbajtjes së Kuvendit të paraparë më 5 shkurt, nëse paraqitet nevoja.
Ky reagim i UEFA-s konfirmon se çështja është duke u trajtuar në nivel institucional dhe se komunikimi ndërmjet palëve përkatëse mbetet i hapur.

