Shoqëria koncesionare “Vlora International Airport-VIA” sh.p.k. ka reaguar lidhur me situatën e ndodhur mëngjesin e djeshëm në hyrje të kantierit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo sqaron se bëhet fjalë për një një çështje të qartë kontraktuale me shoqërinë MABCO Constructions S.A. dhe jo për një konflikt politik, mediatik apo për një “bllokim të aeroportit”.
Gjithashtu, VIA shprehet se problemi lidhet me vonesat në realizimin e punimeve mosrespektim të detyrimeve kontraktuale dhe shkelje të afateve të përcaktuara në kontratë.
Sipas saj, deri më 8 prill janë evidentuar 429 ditë vonesë, ndërsa dëmvonesat e përllogaritura arrijnë në 4.290.000 euro, një shifër që vijon të rritet deri në përfundim dhe pranimin provizor të punimeve.
Po ashtu, ajo sqaron se procedurat e hyrjes në kantier janë standarde sigurie dhe zbatohen për çdo subjekt pa përjashtim.
VIA e cilëson Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës si një projekt strategjik kombetar, duke theksuar se ai nuk mund të pengohet nga vonesat, presioni publik apo tensionet e krijuara në hyrje të kantierit.

