Emërimi i Rolando Maran në krye të Kombëtares shqiptare nuk ka sjellë vetëm ndryshim sportiv, por edhe një kthesë të fortë në strategjinë financiare të FSHF-së.
Pas epokës luksoze të Sylvinho dhe stafit të tij, ku shpenzimet totale prekën shifrën rekord prej rreth 1 milion eurosh në vit, Federata ka vendosur të rikthehet te modeli tradicional financiar që kishte gjatë periudhave të Gianni De Biasi, Christian Panucci dhe Edy Reja.
Sipas raportimeve, stafi i ri teknik i drejtuar nga Maran do të kushtojë rreth 400 mijë euro në vit, një ulje e ndjeshme krahasuar me periudhën e Sylvinhos.
Në kohën e De Biasit, Shqipëria nisi me një kontratë rreth 300 mijë euro në vit, ndërsa pas kualifikimit historik në Euro 2016 paga e italianit u rrit me 15 për qind. Më pas, edhe Panucci dhe Reja u paguan me një tarifë rreth 400 mijë euro në vit bashkë me stafet e tyre.
Me ardhjen e Sylvinhos, FSHF hapi ndjeshëm buxhetin për të siguruar një staf me eksperiencë të lartë ndërkombëtare, ku përfshiheshin emra si Pablo Zabaleta dhe Doriva. Investimi i madh u konsiderua i domosdoshëm për ta çuar Shqipërinë në një tjetër nivel dhe u shpërblye me një tjetër kualifikim në Kampionatin Europian.
Tani, me ardhjen e Maranit, Federata ka vendosur të rikthehet te një model më i balancuar ekonomikisht.
Nëse llogaritet buxheti prej 400 mijë eurosh në vit, stafi teknik i Kombëtares arkëton rreth 33 mijë euro në muaj, ose afro 1,095 euro në ditë. Kjo do të thotë se drejtimi i Kombëtares shqiptare kushton më shumë në 24 orë sesa paga mujore e një punonjësi mesatar në Shqipëri.
Sipas të dhënave të publikuara, paga mesatare bruto në Shqipëri luhatet rreth 85 mijë lekë, ose afërsisht 850 euro në muaj, çka tregon hendekun e madh mes realitetit ekonomik të vendit dhe financave që qarkullojnë në futbollin profesionist.
Megjithatë, edhe pse 400 mijë euro konsiderohen një kursim i madh krahasuar me epokën e Sylvinhos, stoli i Kombëtares shqiptare mbetet një nga pozicionet më të paguara në sportin shqiptar.

