Pas 22 vitesh pritjeje të gjatë, Arsenali është rikthyer në majën e futbollit anglez, duke fituar sërish titullin kampion në Premier League dhe duke rikthyer atmosferën e lavdisë në veri të Londrës.
Triumfi historik i skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta ka sjellë reagime të shumta nga ish-lojtarë, legjenda dhe tifozë të klubit. Një nga mesazhet më emocionuese erdhi nga Thierry Henry, simboli i epokës së artë të “Topçinjve”.
Legjenda franceze, një nga protagonistët kryesorë të skuadrës së famshme “Invincibles” të vitit 2004, ndau emocionet e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kujtuar sa e gjatë kishte qenë pritja për këtë moment.
“Nga tribunat e Highbury te Emirates, më në fund mund të festojmë. Faleminderit kësaj gjenerate. Tani edhe femijët e mi më në fund panë Arsenalin kampion”, shkroi Henry në mesazhin e tij prekës.
Ish-sulmuesi francez mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Arsenalit, me 228 gola në 377 ndeshje. Reagimi i tij u shpërnda me shpejtësi nga tifozët, të cilët e konsiderojnë Henryn ikonën më të madhe të klubit londinez.
Megjithatë, sezoni i Arsenalit ende nuk ka përfunduar. Më 30 maj, londinezët do të luajnë finalen e UEFA Champions League kundër PSG-së, me ëndrrën për ta mbyllur sezonin në mënyrën më spektakolare të mundshme.

