Davide Ancelotti është emëruar trajner i ri i Lille në Francë. Klubi i Ligue 1 ka zyrtarizuar marrëveshjen me 36-vjeçarin, i cili ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me skuadrën franceze.
Djali i trajnerit të njohur Carlo Ancelotti nis kështu një kapitull të ri në karrierën e tij si trajner kryesor, pas eksperiencës së shkurtër te Botafogo. Më herët, ai ka qenë pjesë e stafit teknik të babait të tij në disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë Napolin, Bayern Munichun, Evertonin dhe Real Madridin.
Lille vlerësoi përvojën ndërkombëtare të Ancelottit dhe punën e tij në nivele të larta të futbollit. Ai e ka nisur karrierën në trajning në vitin 2016 dhe gjatë viteve ka ndërtuar profilin e tij si pjesë e strukturave teknike elitare.
Aktualisht, Davide Ancelotti është edhe pjesë e stafit të përfaqësueses së Brazilit, ku punon përkrah Carlo Ancelottit. Emërimi te Lille shënon një hap të rëndësishëm për të, këtë herë si figurë e parë në bankinë.

