Vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026, është miratuar një ndryshim i rëndësishëm në protokollin VAR, i cili pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si do të gjykohen disa situata gjatë ndeshjeve.
Vendimi është marrë nga IFAB, institucioni përgjegjës për hartimin dhe ndryshimin e rregullave të lojës së futbollit në nivel botëror. Ky organ përbëhet nga katër federatat britanike të futbollit dhe FIFA, ndërsa asnjë ndryshim në rregullat e lojës nuk mund të hyjë në fuqi pa miratimin e tij.
Sipas sqarimit të ri, VAR-i do të ketë të drejtë të ndërhyjë edhe në rastet kur një futbollist i skuadrës sulmuese kryen një shkelje para se topi të vihet në lojë nga një goditje nga këndi ose një goditje dënimi, nëse ajo shkelje ndikon drejtpërdrejt në një gol, një penallti ose një vendim disiplinor.
Deri më tani, situata të tilla shpesh mbeteshin jashtë ndërhyrjes së VAR-it, pasi konsideroheshin veprime të ndodhura para rifillimit të lojës. Me këtë ndryshim, nëse VAR-i konstaton një shkelje të tillë, arbitri mund të ftohet për rishikim në monitorin pranë fushës.
Në rast se gjyqtari vendos se shkelja ka ndodhur para se topi të vihej në lojë, atëherë mund të merret masa disiplinore përkatëse, ndërsa goditja nga këndi ose goditja e dënimit do të përsëritet.
Ky ndryshim synon të ndalojë praktikat e parregullta që janë bërë të shpeshta në futbollin modern, veçanërisht bllokimet ndaj portierëve ose mbrojtësve gjatë goditjeve standarde. Në shumë raste, këto veprime kanë krijuar avantazh për skuadrat sulmuese dhe kanë ndikuar në shënimin e golave.
Sqarimi i ri hyn në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet edhe në Botërorin 2026, duke e bërë këtë një nga ndryshimet më të rëndësishme të protokollit VAR në prag të turneut më të madh të futbollit.

