Një debat i madh ka shpërthyer në Itali pas vendimit të televizionit publik Rai 3 për të mos transmetuar segmentin e paralajmëruar të emisionit investigativ “Report”, që kishte në fokus sistemin e arbitrimit në futbollin italian.
Në puntatën e fundit sezonale të emisionit pritej të shfaqej intervista e ish-arbitrit Pasquale De Meo, si dhe një investigim mbi mënyrën e funksionimit të arbitrimit, emërimet e arbitrave dhe dyshimet që lidhen me përdorimin e VAR-it.
Megjithatë, gjatë transmetimit, publiku pa vetëm pjesën kushtuar merkatos së futbollit dhe ndikimit të agjentëve në transferimet e lojtarëve, ndërsa segmenti për arbitrat nuk u shfaq fare. Mungesa e këtij materiali ka nxitur reagime të shumta në opinionin sportiv italian, sidomos në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë ngritur dyshime për censurë.
Pak ditë para transmetimit, drejtuesi i emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, kishte paralajmëruar publikisht se emisioni ishte përballur me presione ligjore. Ai kishte deklaruar se pas njoftimit për investigimin mbi futbollin italian dhe dështimet e kombëtares për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, kishin ardhur paralajmërime nga persona që ai i quajti “zotërinjtë e futbollit”, me qëllim pengimin e publikimit të materialit.
Në materialet promovuese të emisionit, ish-arbitri Pasquale De Meo kishte ngritur pretendime për trajtim të pabarabartë mes arbitrave dhe për ekzistencën e një sistemi që, sipas tij, synon të mbrojë vetveten.
Një nga pjesët më të komentuara lidhej me pretendimet për sinjale të koduara në qendrën VAR të Lisones. Sipas De Meos, brenda ambientit të arbitrimit qarkullonin zëra për trokitje, gjeste me duar apo shenja të tjera, që mund të sinjalizonin nëse VAR-i duhej të ndërhynte apo jo gjatë një ndeshjeje.
Po ashtu, pritej të trajtoheshin edhe dyshimet për disa emërime arbitrash, përfshirë ndeshje të lidhura me Interin, Milanin dhe Bolognën, tema që kishin shkaktuar shumë debat në opinionin sportiv italian.
Në mungesë të segmentit për arbitrimin, “Report” u fokusua kryesisht te merkatoja dhe roli i agjentëve në futboll. Në emision u transmetuan deklarata të një agjenti anonim, i cili pretendoi se në futbollin modern talenti nuk është gjithmonë faktori vendimtar, pasi shpeshherë ndikojnë më shumë interesat ekonomike dhe marrëdhëniet mes agjentëve, drejtuesve sportivë dhe presidentëve të klubeve.
Deri tani, Rai 3 nuk ka dhënë një sqarim zyrtar për arsyet e mos-transmetimit të pjesës kushtuar arbitrave. Me mbylljen e sezonit të “Report” për pushimet verore, mbetet e paqartë nëse investigimi do të publikohet më vonë apo do të mbetet një nga rastet më të debatueshme të futbollit italian në këtë periudhë.

