Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se nga fillimi i këtij procesi (e premte, 12 qershor, ora 21:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 17 qershor, ora 14:30) janë numëruar 223 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.
Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.
Ndërkaq të dielën e 14 qershorit, KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981, raportojnë mediat atje.

