Real Madridi ka njoftuar se i ka dorëzuar UEFA-s një deklaratë zyrtare me shkrim në lidhje me çështjen “Negreira”, një nga skandalet më të diskutuara të futbollit spanjoll në vitet e fundit.
Klubi madrilen pretendon se ka vënë në dispozicion të organit europian dokumente dhe prova që, sipas tij, përforcojnë dyshimet rreth pagesave të kryera nga Barcelona ndaj Jose Maria Enriquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve në Spanjë.
Sipas Realit, këto pagesa janë realizuar përmes strukturave të ndryshme korporative dhe nuk shoqërohen me një justifikim financiar të verifikueshëm.
Klubi thekson se dokumentacioni i dorëzuar synon të ndihmojë UEFA-n në hetimin e rastit dhe në zbardhjen e plotë të rrethanave që lidhen me këtë çështje.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar nga institucionet kompetente sportive dhe gjyqësore.

