FIFA ka vendosur një sërë rregullash të reja për tifozët në stadiumet e Kupës së Botës 2026, ku përveç armëve, drogës dhe materialeve të rrezikshme, në listën e ndalimeve përfshihen edhe disa forma të sjelljes në tribuna.
Sipas mediave ndërkombëtare, tifozët po informohen përmes njoftimeve zyrtare se nuk lejohen fyerjet, gjestet ofenduese, pirja e duhanit, avullimi, bastet e paligjshme, por as ato që cilësohen si “shfaqje të papërshtatshme dashurie”.
Ky përkufizim përfshin sjellje që konsiderohen të tepruara në ambiente publike, ndërsa sipas interpretimit të autoriteteve amerikane mund të përfshijë edhe puthjet shumë të gjata dhe pasionante. Puthjet e zakonshme dhe të shkurtra nuk janë të ndaluara.
FIFA nuk ka përcaktuar qartë kufijtë e këtij rregulli, duke u lënë organizatorëve dhe stafit të sigurisë hapësirë për të ndërhyrë në rastet kur sjellja konsiderohet e papërshtatshme ose shqetësuese për tifozët e tjerë.
Deri tani nuk është raportuar asnjë rast i largimit apo ndëshkimit të tifozëve për këtë arsye.
Në listën e objekteve të ndaluara në stadiume bëjnë pjesë edhe disa sende të pazakonta si mielli, letra higjienike, tullumbacet dhe flamujt që tejkalojnë dimensionet e lejuara nga FIFA, si pjesë e masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e turneut.

