Trajneri i Uruguait, Marcelo Bielsa, ka tërhequr vëmendjen në Kupën e Botës 2026 jo vetëm për futbollin e skuadrës së tij, por edhe për një detaj të pazakontë në fotografinë zyrtare të FIFA-s.
I njohur për karakterin e veçantë dhe qasjen e tij origjinale, 70-vjeçari u fotografua duke parë poshtë, ndryshe nga trajnerët dhe futbollistët e tjerë që pozuan përballë kamerës.
Fotografia u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, duke nxitur spekulime të ndryshme për një mesazh të fshehtë apo formë proteste nga tekniku uruguaian.
Megjithatë, pas barazimit 1:1 të Uruguait ndaj Arabisë Saudite, Bielsa hodhi poshtë të gjitha interpretimet.
“Nuk kam pse të jap asnjë shpjegim. Fotografia u bë ashtu siç u bë. Mbi të gjitha, unë nuk jam model”, deklaroi ai.
Më pas, ai e krahasoi situatën me zgjedhje të zakonshme personale, duke theksuar se jo çdo veprim ka nevojë për shpjegim publik.
Edhe një herë, njeriu që futbolli e njeh si “El Loco” arriti të jetë në qendër të vëmendjes, duke treguar se mbetet një nga figurat më të veçanta dhe më enigmatike të futbollit botëror.

