Interesimi për Anis Mehmetin sa vjen dhe rritet. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po kalon një sezon shumë pozitiv me Bristol City në Championship dhe tashmë ka hyrë seriozisht në radarët e disa klubeve evropiane. Së fundmi, në skenë ka dalë edhe Toulouse, që po ndjek nga afër situatën e 25-vjeçarit.
Fakti që ende nuk ka një marrëveshje për rinovimin e kontratës mes Mehmetit dhe Bristol City ka bërë që disa skuadra të tentojnë goditjen, duke parë mundësinë për ta transferuar në një kampionat më të fortë. Një kalim në Ligue 1 do të përfaqësonte pa diskutim një hap të rëndësishëm në karrierën e futbollistit shqiptar.
Te Toulouse, Mehmeti do të kishte mundësinë ideale për të provuar veten në një nivel më të lartë dhe për t’u zhvilluar më tej, me synimin për të hedhur hapa edhe më të mëdhenj në të ardhmen. Një detaj që e bën këtë pistë edhe më interesante është prania e Viktor Bezhanit, drejtor sportiv shqiptar në klubin francez, çka mund të lehtësojë negociatat.
Gjithashtu, nuk duhet harruar se Toulouse dhe Milan kanë të njëjtët pronarë, RedBird, duke hapur një skenar intrigues për të ardhmen e Mehmetit. Në këtë kontekst, një transferim fillestar në Ligue 1 mund të shërbejë si trampolinë drejt një kalimi të mundshëm te Milani, ku siç dihet, drejtimi sportiv është tashmë në duart e Igli Tares.
Një rrugëtim ideal për Anis Mehmetin: fillimisht afirmim në Francë dhe më pas tentativë për të veshur fanellën e një gjiganti si Milani. Një skenar që duket i largët, por aspak i pamundur, duke parë formën dhe vlerësimin që po fiton sulmuesi shqiptar në arenën ndërkombëtare.

