Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Ernest Muçi, ka vazhduar formën e tij të shkëlqyer në Superligën turke, duke lënë gjurmë që në minutat e para të përballjes mes Trabzonspor dhe Fenerbahçes.
24-vjeçari realizoi një gol me vlera të larta teknike në minutën e 7-të të takimit, duke konfirmuar momentin pozitiv që po kalon këtë sezon.Pas një aksioni të ndërtuar shpejt, Muçi kontrolloi topin me shumë klas, mbrojti sferën nga kundërshtari në hyrje të zonës dhe më pas ekzekutoi një goditje të sofistikuar me parabël, duke mposhtur portierin kundërshtar.
Goli i hershëm i shqiptarit i dha ritëm dhe besim skuadrës së tij në një sfidë me intensitet të lartë, përballë një rivali direkt në kampionat. Muçi po shfaq vazhdimësi në paraqitje dhe ndikim konkret në fazën ofensive, duke u kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm të Trabzonsporit në këtë fazë të sezonit.
Forma e tij është gjithashtu një sinjal pozitiv për Kombëtaren shqiptare, teksa sulmuesi po demonstron pjekuri, vendimmarrje të shpejtë dhe efikasitet para portës në një nga kampionatet më konkurruese të rajonit.

