Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Dion Gallapeni, ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke ndryshuar ambient në elitën e futbollit polak.
21-vjeçari është huazuar nga Widzew Łódź te Wisła Płock, skuadër që aktualisht është në garë për titull kampioni në Ekstraklasa.
Sipas raportimeve të gazetarit Sacha Tavolieri, Gallapeni do të qëndrojë në Płock në formë huazimi deri në fund të sezonit. Marrëveshja përfshin edhe një klauzolë blerjeje, me Wislan që mund të sigurojë kartonin e tij për rreth 700 mijë euro.
Ky transferim përfaqëson një lëvizje strategjike për mbrojtësin kosovar, i cili kalon nga një skuadër që po lufton për mbijetesë në një ekip që synon kreun e tabelës.
Me fanellën e Widzew Łódź, Gallapeni u paraqit në 10 ndeshje në kampionat nga 21 të mundshme, duke realizuar edhe një gol. Aktualisht, Widzew renditet në pozitën e 15-të me 23 pikë, vetëm një pikë mbi zonën e rrezikshme.
Në anën tjetër, Wisła Płock mban vendin e dytë në tabelë me 33 pikë, tri më pak se lideri Jagiellonia Białystok, që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Kjo e bën garën për titull mjaft të hapur në javët e mbetura të sezonit.
Gallapeni u transferua në Poloni në verën e vitit 2025 nga FC Prishtina për shumën e 250 mijë eurove, duke bërë një hap të rëndësishëm jashtë futbollit kosovar.

Përveç paraqitjeve në kampionatin polak, ai ka lënë gjurmë edhe me Kombëtaren e Kosovës, ku numëron nëntë paraqitje dhe ka spikatur në sfida të rëndësishme kundër përfaqësueseve si Zvicra, Suedia dhe Sllovenia në kualifikimet për Botërorin 2026.
Sipas vlerësimeve të platformës Transfermarkt, vlera aktuale e tij në treg arrin në 2.5 milionë euro – një tregues i qartë i progresit të shpejtë që ka bërë në dy sezonet e fundit.
Huazimi te Wisla Płock shihet si një mundësi ideale për Gallapenin që të fitojë më shumë minuta në një ambient me objektiva të mëdha, duke forcuar pozitat e tij si një nga mbrojtësit më premtues të futbollit kosovar.

