Real Madrid ka marrë një fitore të madhe në Lisbonë ndaj Benfica, në një sfidë të tensionuar dhe me episode të shumta.
“Los Blancos” triumfuan 1-0 si mysafir në ndeshjen e vlefshme për “play-off”-in e UEFA Champions League, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me madrilenët që kontrolluan lojën dhe krijuan më shumë raste. Goli vendimtar erdhi në minutën e 50-të, kur Vinícius Júnior realizoi për 0-1, duke shfrytëzuar momentin e tij për të ndëshkuar vendasit.
Menjëherë pas golit, situata në fushë u tensionua. Gjatë festimit, Viníciusi u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari François Letexier, ndërsa më pas pati përplasje verbale me futbollistin e Benficës, Gianluca Prestianni. Loja u ndërpre për rreth dhjetë minuta për shkak të tensioneve.
Pas rifillimit, çdo prekje e topit nga braziliani u shoqërua me fishkëllima nga tifozët vendas, por rezultati nuk ndryshoi. Ndeshja u mbyll 1-0 për Real Madridin, pas 12 minutash shtesë.
Takimi i kthimit do të zhvillohet më 25 shkurt, ku Reali do të presë Benficën për të vulosur fatin e kualifikimit.

