Është konfirmuar dënimi me 30 vite burg për Elona Kaleshën, 41-vjeçaren shqiptare e cila dyshohet se vrau vjehrritë e saj, Teutën dhe Shpëtim Pashon, prindërit e ish të dashurit të saj, Taulantit.
Vendimi u dha ditën e djeshme nga Gjykata e Kasacionit, e cila hodhi poshtë ankesën e avokatëve mbrojtës të gruas, Federico Febbo dhe Antonio D’Orzi.
Kujtojmë se dy viktimat u zhdukën në nëntor 2015 (një ditë para se Taulanti, i ndaluar në Sollicciano për çështje të lidhura me drogën, të lirohej nga burgu) dhe pas 5 vitesh, u lokalizuan trupat e tyre të pajetë të copëtuar dhe të futur në katër valixhe të braktisura në një fushë midis burgut Fi-Pi-Li dhe Sollicciano.
Fillimisht u spekulua se çifti ishte larguar vullnetarisht nga Italia. Mirëpo hetimet e shtrira në një periudhë të gjatë kohore nxorrën në pah se ata u vranë në mënyrë brutale nga nusja e tyre.
Çifti Teuta dhe Shpëtim Pasho u gjetën të copëtuar në Itali në 4 valixhe, pesë vite pas zhdukjes.
Një valixhe, pastaj një tjetër dhe një tjetër, ishin katër valixhe të cilat, pas zbulimit të së parës, dolën nga një fushë midis autostradës Firence-Piza-Livorno dhe burgut Sollicciano.
Brenda, ishin mbetjet e frikshme të një burri dhe një gruaje. Ishte dhjetori i vitit 2020 dhe brenda pak ditësh karabinierët arritën të zbulonin se ato trupa i përkisnin Shpëtim dhe Teuta Pashos , bashkëshortëve shqiptarë të zhdukur që prej 1 nëntorit pesë vite më parë.
Ata nuk ishin zhdukur, por rezultuan të ishin viktima të një vrasjeje . Kush mund t’i kishte vrarë ata? Duke marrë parasysh një diferencë të konsiderueshme kohore, prokurori u përqendrua në rrethin familjar të çiftit dhe në pak ditë rrethi u shtrëngua rreth Elona Kaleshës, në momentin e zhdukjes, ajo ishte e dashura e djalit të Pashos, Taulantit.

