Chelsea po përballet me një nga periudhat më të vështira në historinë e klubit, me rezultate negative që nuk janë parë që nga viti 1912.
Skuadra londineze u mposht thellë 3:0 nga Brightoni në “Amex Stadium”, në një ndeshje ku mysafirët dështuan të krijojnë raste të rrezikshme dhe u shfaqën të dobët në të gjitha repartet e lojës.
Statistikat e ndeshjes dhe të ecurisë së fundit janë alarmante për Chelsean. Kjo ishte humbja e pestë radhazi në Premier League, ndërsa skuadra nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në këto pesë takime. Në përballjen ndaj Brightonit, londinezët mezi krijuan një rast serioz për gol dhe nuk regjistruan goditje të rrezikshme drejt portës.
Pas ndeshjes, trajneri Liam Rosenior reagoi ashpër, duke e cilësuar paraqitjen si të papranueshme dhe larg nivelit që kërkohet nga një klub si Chelsea.
“Është e papranueshme në çdo aspekt të lojës. Qasja jonë ishte e papranueshme dhe kjo performancë nuk mund të mbrohet”, deklaroi ai, duke përmendur mungesën e intensitetit, gabimet në mbrojtje dhe humbjen e dueleve si arsyet kryesore të disfatës.
Situata në klub mbetet shqetësuese, ndërsa kjo seri negative e largon gjithnjë e më shumë Chelsean nga zonat që sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

