Deputeti socialist, Ardit Bido ka kritikuar opozitarët të cilët dje u larguan nga salla e Kuvendit duke mos mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e akademikut Rexhep Qosja.
Për lëvizjen e demokratëve të cilët zgjodhën të brakstisnin sallën e Kuvendit, Bido thekson se ata kanë fyer figurën e të madhit, Rexhep Qosja.
Ndërsa më tej socialisti ngre dyshimet se veprimi i pahijshëm i demokratëve ndaj Qosjas, lidhet me refuzimin e shkrimtarit për të takuar liderin demokrat, Sali Berisha.
“Ka një detaj të rëndësishëm për Rexhep Qosen sepse mësohet se gjithmonë ka refuzuar të takohet me liderin demokrat, Sali Berishën. Uroj të mos ketë qenë kjo arsyeja, sepse opozita u çuan dhe ikën pa respektuar një prej kolonave të historisë sonë bashkëkohore” tha Ardit Bido në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit.
Akademiku i njohur shqiptar, Rexhep Qosja, mbylli sytë përgjithmonë ditën e djeshme, në moshën 89-vjeçare.

