Shefi i gjyqtarëve në Serie A, Gianluca Rocchi, është vënë nën hetim për mashtrim sportiv, në një rast që po rikthen kujtimet e skandalit të madh “Calciopoli” që tronditi futbollin italian dy dekada më parë.
Hetimi lidhet me sezonin e kaluar dhe fokusohet në disa vendime të diskutueshme arbitrare. Rasti kryesor është ndeshja Udinese–Parma, ku po analizohen komunikimet në dhomën e VAR-it për një penallti të akorduar pas rishikimit të pamjeve.
Sipas raportimeve, arbitri VAR fillimisht nuk ishte i bindur për penalltinë, por më pas ndryshoi qëndrim dhe rekomandoi rishikim në fushë, vendim që ndikoi direkt në fitoren 1-0 të Udineses.
Nën shqyrtim është edhe sfida Inter–Verona e janarit 2024, ku një episod i diskutueshëm para golit vendimtar të Davide Frattesit ngriti dyshime të reja.
Megjithatë, autoritetet sportive italiane kanë theksuar se një rast tashmë është mbyllur, ndërsa në tjetrin ekzistojnë audio të plota nga OpenVAR dhe transparencë në proces. Hetimet pritet të sqarojnë nëse kemi të bëjmë me gabime arbitrare apo diçka më serioze.

