Mohamed Salah ka folur hapur për të ardhmen e tij te Liverpooli, duke lënë të kuptohet se aventura e tij në “Anfield” mund të jetë drejt fundit.
Ylli egjiptian, i cili vetëm një vit më parë kishte nënshkruar kontratë të re dyvjeçare, ka pranuar se tashmë ndihet gati për një kapitull të ri në karrierë.
Në një deklaratë për Sky Sports, Salah tha se sezonin e kaluar nuk ishte momenti i duhur për t’u larguar, pasi kishte thyer rekorde dhe kishte fituar Premier League me Liverpoolin.
“Sezonin e kaluar nuk isha gati të largohesha, sepse kur thyen rekorde dhe fiton Premier League, nuk është e drejtë”, deklaroi Salah.
Megjithatë, ai theksoi se gjërat kanë ndryshuar gjatë këtij sezoni dhe se vendimi për largim është marrë me qetësi.
“Tani është sikur e di se është koha. Dua të largohem. Ka shumë gjëra prapa skenave që njerëzit nuk i dinë, por mendoj se tani është momenti. Jam i qetë me këtë vendim”, u shpreh ai.
Salah nuk pranoi të zbulojë detaje nga prapaskenat, ndërsa në mediat angleze vazhdojnë spekulimet se raporti i tij me trajnerin Arne Slot mund të ketë ndikuar në këtë vendim.
Në fund, sulmuesi egjiptian la të kuptohet se tashmë mendjen e ka te hapi i radhës në karrierë.

