Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka deklaruar se FIFA duhet të garantojë sigurinë dhe trajtimin korrekt të delegacionit iranian në rast të pjesëmarrjes së Iranit në Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sipas Taj, ekziston shqetësimi se përfaqësues të Iranit mund të përballen me probleme në kufijtë amerikanë, sidomos për shkak të lidhjeve të disa zyrtarëve me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), organizatë që SHBA e konsideron terroriste.
Kreu i futbollit iranian tha se federata do të kërkojë garanci zyrtare nga FIFA dhe autoritetet amerikane që delegacioni iranian të mos përballet me “fyerje apo trajtim diskriminues” gjatë qëndrimit në SHBA.
Deklaratat e tij vijnë vetëm pak ditë pasi delegacionit iranian iu refuzua hyrja në Kanada për Kongresin e FIFA-s në Vancouver. Sipas raportimeve, vizës së presidentit të federatës iraniane iu anulua gjatë udhëtimit për shkak të dyshimeve mbi lidhjet me IRGC.
Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, ka reaguar përmes një letre ku shprehu keqardhje për incidentin dhe ftoi Federatën Iraniane në një takim më 20 maj në Zyrih për përgatitjet e Botërorit 2026.
“Do të shkojmë në Botëror sepse jemi kualifikuar dhe mikpritësi ynë është FIFA, jo Donald Trump apo Amerika”, deklaroi Taj, duke shtuar se Irani kërkon respekt ndaj institucioneve të tij ushtarake dhe garanci që situata e ndodhur në Kanada të mos përsëritet në SHBA.

