Lideri aktual i kampionatit, FC Ballkani, ka realizuar një goditje të rëndësishme në repartin ofensiv, duke siguruar shërbimet e sulmuesit Fiton Ademi, i cili së fundmi është ndarë me klubin Shkëndija e Tetovës.
TV Mërgata mëson ekskluzivisht se marrëveshja mes palëve është arritur, ndërsa zyrtarizimi i këtij transferimi pritet të ndodhë shumë shpejt.
23-vjeçari do të jetë për herë të parë pjesë e kampionatit kosovar, ndërsa ky konsiderohet një transferim i madh për Ballkanin, pasi Ademi kishte oferta konkrete nga disa klube të tjera kosovare, si dhe nga ekipe të elitës së futbollit shqiptar.
Në sezonin aktual, Fiton Ademi ka zhvilluar 25 ndeshje, duke realizuar 4 gola dhe 4 asistime, statistika që dëshmojnë për kontributin e tij të rëndësishëm në fazën ofensive dhe për potencialin që pritet t’i shtojë skuadrës nga Suhareka.

