Klubi i futbollit Ballkani ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili organizohet nga platforma “Liria ka Emër”.
Marshi është paralajmëruar të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë dhe ka për qëllim të shprehë mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Përmes një reagimi zyrtar, Ballkani ka bërë të ditur se klubi, nga futbollistët deri te stafi, qëndron në krah të kësaj nisme qytetare, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë dhe transparencës.
“Mbështesim drejtësinë, jo politikën! FC Ballkani, prej futbollistëve e deri tek i gjithë stafi, jemi krah protestës së së martës më 17.02.2026, ‘Drejtësi, jo politikë’. Përkrahim vetëm drejtësinë dhe transparencën, larg çdo agjende politike”, thuhet në reagimin e klubit.
Marshi pritet të mbahet në kryeqytet me pjesëmarrje të qytetarëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm nga jeta publike dhe sportive e vendit.

