Dy gjigantë të Ligës Premier, Chelsea dhe Arsenal, vazhdojnë të mbajnë nën vëzhgim situatën e yllit turk të Real Madridit, Arda Guler.
Edhe pse fillimi i aventurës së tij në “Santiago Bernabeu” nuk ishte i lehtë, Guler ka arritur gradualisht të fitojë hapësira dhe një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në skemat e skuadrës madrilene, duke iu afruar synimit të tij të deklaruar për të ndërtuar një karrierë afatgjatë te gjigantët spanjollë.
Në këtë fazë, as lojtari dhe as drejtuesit e Real Madridit nuk duken të gatshëm të marrin në konsideratë një largim. Megjithatë, sipas raportimeve të “Caught Offside”, interesi i Arsenalit dhe Chelseat mbetet aktiv, edhe pse çdo zhvillim i mundshëm do të kërkonte kushte shumë specifike.
Së pari, vetë futbollisti do të duhej të shprehte qartë dëshirën për t’u larguar nga Madridi. Më pas, klubet e interesuara do të duhet të paraqesin oferta financiare shumë të larta, që pritet të variojnë mes 90 dhe 100 milionë eurove.

Kujtojmë se Real Madridi pagoi rreth 26 milionë euro te Fenerbahçe për transferimin e Guler, ndërsa aktualisht klubi madrilen nuk ka asnjë arsye urgjente për të negociuar një shitje.
Burime pranë Arsenalit konfirmojnë se klubi londinez po e ndjek nga afër zhvillimin e mesfushorit ofensiv, por pranon se sfida kryesore mbetet bindja e lojtarit, i cili për momentin nuk po mendon të largohet nga Real Madridi.
Një lëvizje në afatin e janarit përjashtohet, ndërsa vera mbetet periudha e vetme kur një skenar i tillë mund të rishqyrtohet, vetëm në rast se ofertat rekord do ta detyronin Real Madridin të mendonte seriozisht për një shitje.

