Cristiano Ronaldo ka dalë përfundimisht fitues në çështjen ligjore kundër Juventusit, duke mbyllur një mosmarrëveshje që ka zgjatur për disa vite dhe që lidhej me pagat e papaguara gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, gjyqtari i punës në Torino, Gian Luca Robaldo, ka rrëzuar apelimin e paraqitur nga Juventusi, duke konfirmuar se klubi bardhezi nuk ka të drejtë të rikuperojë shumën prej 9.8 milionë eurosh që i është paguar tashmë yllit portugez.
Çështja nisi pas largimit të Ronaldos nga Juventusi në vitin 2021, kur ai u rikthye te Manchester United. Sulmuesi portugez pretendoi se klubi italian i detyrohej gjithsej 19.6 milionë euro paga të prapambetura. Në vitin 2023, ai e dërgoi çështjen në arbitrazh.
Në prill të vitit 2024, paneli i arbitrazhit vendosi që Juventusi të paguante gjysmën e shumës së kërkuar, konkretisht 9.8 milionë euro, duke argumentuar se marrëveshja private mes palëve, e cila ishte gjithashtu nën hetim nga autoritetet italiane, nuk mbante firmën e vetë Ronaldos.
Juventusi e apeloi këtë vendim, por me verdiktin e fundit të gjykatës së punës, u konfirmua se klubi nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kthimin e shumës së paguar. Për më tepër, bardhezinjtë do të detyrohen të mbulojnë edhe shpenzimet ligjore të procesit.
Sipas burimeve pranë klubit, vendimi nuk pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në bilancin financiar të Juventusit, pasi shuma ishte reflektuar tashmë në pasqyrat financiare të sezonit 2023/24. Megjithatë, drejtuesit e klubit pritet të analizojnë me kujdes vendimin për të vlerësuar nëse ekzistojnë mundësi për hapa të mëtejshëm ligjorë.

