Cristiano Ronaldo ka vendosur të mungojë në ndeshjen e radhës së Al Nassr, të planifikuar për këtë të hënë ndaj rivalëve lokalë Al-Riyadh, në kuadër të javës së 20-të të kampionatit saudit, raporton mediumi portugez A Bola
Ndryshe nga spekulimet fillestare në mediat saudite, mungesa e yllit portugez nuk lidhet me menaxhimin fizik apo me përgatitjet për përballjen e madhe ndaj kampionëve të Al Ittihad, të drejtuar nga Sérgio Conceição, që luhet të premten, më 6 shkurt.
Sipas burimeve të afërta me klubin, Ronaldo është thellësisht i pakënaqur me mënyrën se si PIF (Fondi Publik i Investimeve të Arabisë Saudite) po e menaxhon Al Nassr, veçanërisht në krahasim me trajtimin më të favorshëm që po u bëhet klubeve rivale, të cilat gjithashtu kontrollohen nga i njëjti fond.

Si kapiten i skuadrës, Cristiano Ronaldo ka shprehur pakënaqësi për mungesën e investimeve dhe përforcimeve, duke theksuar se klubi nuk ka qenë konkurrues në merkato. Në afatin e dimrit, i vetmi transferim i Al Nassr ishte Haydeer Abdulkareem, një mesfushor 21-vjeçar i marrë nga Iraku – fakt që ka shtuar edhe më shumë frustrimin e CR7.
Vlen të theksohet se Al Nassr ka dy figura portugeze në strukturat drejtuese, Simão Coutinho (drejtor sportiv) dhe José Semedo (CEO), por kompetencat e tyre janë pezulluar që në fillim të muajit, me vendim të Bordit Drejtues.
Situata tregon për tensione serioze brenda klubit, ndërsa e ardhmja e Ronaldos te Al Nassr mbetet më e paqartë se kurrë.

